Gazetari Artan Hoxha ka theksuar në Newsroom një nga problematikat që ndikojnë në reputacionin e reporterëve gjatë punës së tyre.
Hoxha përmendi se kur vërehet një reporter që drejton një makinë luksoze që tejkalon të ardhurat e tij, ai nuk mund të konsiderohet më si një gazetar.
Kjo vlen edhe për drejtuesit e medieve. Sipas Hoxhës, nëse një drejtues i një mediumi apo një zyrtar policie jeton në një vilë luksoze dhe mbajnë orë me vlera të larta, kjo tregon se ata janë përkrahësit e atyre që duhet të përballen. Hoxha gjithashtu shtoi se edhe publiku e vë re dallimin midis një reporteri me katër xhaketa të thjeshta dhe një analisti që bie në sy për shkak të kostumit të kashmirit.
“Një pjesë e mirë e elementëve që na penalizojnë ne në punën tonë varet ekskluzivisht nga karakteri i reporterit, nga pasioni që ka për punën…Nëse takon në rrugë reporterë që dalin me Range Rover, ai nuk është më pastaj reporter. Pra nëse ti takon një drejtor televizioni që të vjen me makinë 150 mijë euro. Më fal..por unë kam qenë me atë dikur me golf sintetik. Dhe kur ti papritmas shikon që ai është me një vilë që bën 3 mln euro në një vend dhe ka një vilë tjetër në plazh që bën 1.5 mln euro, atëherë më fal por këtu ndryshon krejt historia, nuk ndodh kjo. Në botë kjo ndodh në këto vendet gjysmë-demokraci, ne duhet t’i ndajmë gjërat. T’ja bëjmë të qartë publikut. Publiku besoj i dallon se kur sheh një gazetar atje, ose një reporter që del në televizion dhe ka nja 4 xhaketa, duhet ta dijë se është më afër të vërtetës sesi ai analisti që del me kostumin prej kashmiri dhe ai që ka orën nja 30 mijë euro. Edhe ai polici, nëse e sheh me makinë private Range Rover ose me orë të shtrenjtë, ai anon tek ata që duhet të luftojë sesa ata që duhet të mbrojë,”- tha Hoxha.