Babai 12 vjeçarit: “Djalin e kane dhunuar. Kanë qenë të komunitetit rom. Djali ka qenë shumë i rënduar”

Babai i 12-vjeçarit Ronaldo Tanushi, i cili u trafikua për tre ditë nga disa anëtarë të komunitetit rom, ka dhënë detaje në lidhje me gjendjen shëndetësore dhe emocionale të të miturit, i cili u gjet në saj të kërkimeve në Sarandë.

Gazmend Tanushi tha se djalin e kanë dhunuar dhe e kanë detyruar që të lypë dhe vjedhë, ndërkohë që sipas tij dy prej shfrytëzuesve nuk janë arrrestuar ende nga policia. Ai kërkon që ata të vihen sa më parë pas hekurave, pasi historia e Ronaldos mund të përsëritet te fëmijë të tjerë.

Gazmend Tanushi zbulon me detaje sesi djali ka rënë në rrjetën e këtyre trafikantëve, teksa fillimisht e kanë gënjyer duke i dhënë para, e më pas nga Tirana e kanë dërguar në Vlorë dhe më pas në Sarandë.

“Djali ka qenë shumë i rënduar, e kanë nxjerrë djalin në rrugë për të lypur dhe për të vjedhur. Djali ka dalë në 8 të mëngjesit nga shtëpia, ai kishte dalë për të luajtur, dy persona e kanë mashtruar djalin, kanë qenë të komunitetit rom, i kanë dhënë një 2 mijë lekësh, në Tiranë e ka marrë në dorë kjo zonja që është arrestuar, Bukuroshja.

Djalin e kanë detyruar që të vjedhë nëpër Tiranë, dhe më pas e kanë çuar në Vlorë dhe në Sarandë, djalin e kanë goditur dhe e kanë futur mezor, e kanë dhunuar djalin. Është i lodhur, i trembur, djali natën e parë ka fjetur në lulishte te dy kullat në Tiranë, me dy persona të rritur.

Më pas e kanë marrë te blloku, dhe e kanë çuar në Sarandë, e falenderoj shumë policinë për ndihmën që më kanë dhënë. Falenderoj vëllezërit e motrat që më kanë ndihmuar, më kanë telefonuar në çdo orar të natës, më thanë që në Vlorë i kishin dhënë një 5-mijë lekëshe dhe e kishin parë të trembur.

Pastaj e kanë parë në qendër të Sarandës, më pas e ka gjetur policia në zonën e plazhit, ku djali ishte duke lypur. Djali është i lodhur dhe i trembur, nuk dua që ta shqetësoj më shumë, unë bëj thirrje që të gjenden dhe dy personat e tjerë që kanë marrë djalin tim, është shumë shumë shumë e rëndë”, u shpreh Tanushi për gazetaren e Fax News Fjona Çela.

Leave a Comment