Çudit Rama: “Nuk shpërndajmë libra të rinj por të vjetër që të edukohet brezi i ri se libri nuk të përket vetëm ty”

Kryeministri Edi Rama duke folur gjatë prezantimit të “Abetares Unike” që do të përdoret nga nxënësit e klasave të para në Shqipëri dhe Kosovë, është ndalur tek kundërshtitë që kanë disa prindër në Shqipëri se fëmijët e tyre po marrin libra të përdorur.

Ai tha se qeveria shqiptare nuk po shpërndan librat të rinj çdo vit, jo se nuk i ka mundësitë, por sepse kërkon të edukojë brezat, një politikë që është marrë nga vende shumë herë më të zhvilluara se vendi ynë.

Kam ndjekur disa kronika dhe disa komente për librat që kalojnë dorë pas dore sipas një rregulli të përcaktuar, që librat të cilët jepen falas, kanë një cikël 3-vjeçar. Pretendimet janë që janë përdorur, nuk janë të rinj, nëse na japin falat të na i japin të rinj. Kjo nuk është çështje parash, kjo nuk është çështje se ne nuk i përmbahemi angazhimit për t’i dhënë librat falas, kjo është politikë, që nuk e kemi shpikur ne, e bëjnë vende që janë shumë më të pasura se sa ne, sepse është një politikë që synon njëkohësisht edhe edukimin e fëmijëve dhe të të rinjve me idenë që libri është pasur e cila ndahet me të tjerët. Libri është një vlerë e cila nuk të përket vetëm ty, libri është një send që i kalon të tjerëve dhe në këtë mënyrë kjo edukatë lidhet me atë që në të nesërmen duhet të jetë edhe kujdesi për librin, por edhe kur nuk e merr falas, kur prindërit e tu ta dhurojnë një libër të ri, ti duhet të kujdesesh për të dhe ta trajtosh atë me idenë që ai nuk e ka jetën të përcaktuar thjeshtë nga koha që ti do ta lexosh, libri duhet të jetojë edhe përtej kohës që të duhet ty për ta lexuar apo mësuar me të, libri duhet kaluar tek të tjerët. Është e rëndësishme që këtë gjë ta shpjegojnë edhe mësuesit për fëmijët dhe prindërit. Është e rëndësishme të përcaktohet edhe një rregull që ata që i dorëzojnë librat në një gjendje të keqe, në vitin tjetër t’i blejnë librat, mos t’i marrin më falas. Natyrisht nuk bëhet fjalë për shumicën, pasi shumica i kalon librat tek klasat pasardhëse në gjendje të mirë – tha Rama

Leave a Comment