Deputetja trondit Bashën me të folurën troç: “Kemi turp nga familjarët. Nuk të pranojnë o zoti Basha.

Lulzim Basha e ka humbur sensin e realitetit. Të hënën në mëngjes, kur ishte marrë vesh se ai e kishte kthyer PD-në në partinë e tretë në vend, doli para gazetarëve për të thënë se “ai nuk ka pësuar asnjë disfatë elektorale”.

Kjo batutë, që u shndërrua në burimin e memeve të radhës u pasua në mbrëmje, në mbledhjen e grupit parlamentar nga justifikimet se 6 marsi u organizua për të goditur atë. Pak a shumë të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe shqytari i tij besnik, Gazmend Bardhi. I pyetur për rezultatin dramatik, ku pati bashki ku PD mori vetëm 6%, 10% apo 11%

Bardhi tha se “nuk është koha për përgjegjësi por për reflektim”, duke iu shmangur në mënyrë të drejtpërdrejtë njësoj si shefi, thelbit të problemit.

Por, rezultatet katastrofike të së dielës duket se i kanë radikalizuar edhe mbrojtësit e tij të deri tanishëm. 

Në mbledhjen e kryesisë Ferdinand Xhaferri mësohet të ketë thënë: “Jam me i vjetri dhe me eksperience, s’kam ambicie por përgjegjësi për PD. Berisha s’është zgjidhje dhe e ka mbyll me PD, por ti na ke fyer kur thua skam humbur asnjë garë. Duhet te largohesh si kryetar”.

I ashpër në mbledhje ka qenë edhe Dashnor Sula“Cila është zgjidhja kryetar? Se kështu mund të na thuash përsëri. Si i jep zgjidhje? Ke përgjegjësi ti dhe ne. Nuk na beson me asnjë kështu” – ka pyetur ai.

Ndërsa Helidon Bushati ia ka plasur në sy: “Duhet zgjedhje përtej egove tona, duhet të ikësh.

Më parë Tomorr Alizoti ka kërkuar largimin e menjëhershëm të Lulzim Bashës nga drejtimi i Partisë Demokratike, pas rezultateve zhgënjyese të 6 marsit. I ftuar në “Radari Informativ” në ABC, Alizoti i quajti absurde justifikimet e Bashës për të mos u larguar nga PD.

“U shokova kur dëgjova që tha nuk ka humbur asnjë garë, kjo kalon në kufijtë e çmendurisë. Partia e tij ka dalë e treta. PD historikisht e ka rrezikuar mazhorancën. Unë mendoj se nuk duhet të kalojë asnjë minutë, Basha duhet të tërhiqet’, – tha Alizoti. 

Edhe i sapongrituri në rolin e nënkryetarit nga Basha, Agron Gjekmarkaj ka goditur fort duke dhënë personalisht dorëheqjen.

“Në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit, Partia Demokratike pësoi një humbje tronditëse duke tejkaluar çdo parashikim ogurzi.

Përtej çdo rrethane kundër nesh, sado të dukshme e turpëruese, ne nuk mund të akuzojmë askënd pos vetes. Çdo justifikim është i papranueshëm! Unë, prej dy muajsh jam njëri prej katër Nënkryetarëve të PD-së dhe jam i gatshëm të mbaj përgjegjësinë time.

Nuk do t’i shmangem asaj për asnjë arsye apo interes që bie në kundërshtim me vullnetin e shoqërisë dhe parimet e mia etike” –deklaroi ai.

Ndërsa Grida Duma fajësoi direkt Lulzim Bashën për dështimin e PD- së zgjedhjet e 6 marsit.

“Është dëshpërues rezultati, në një menyrë apo një tjetër i papritur. Pa diskutim duhet të merren vendime të rëndësishme dhe përgjegjësi duke përfshirë edhe kryetarin e partisë”, –ishte mesazhi i saj.

“Ditë e tmerrshme”, – e quajti Ervin Salianji rezultatin e PD në zgjedhjet e 6 marsit.

I pyetur nëse Basha duhet të mbajë përgjegjësi për dështimin, Salianji tha: “Pa diskutim”!

Nuk dihet se si do të shkojnë zhvillimet në PD pas kësaj traume të re, nëse partia do të pësojë sërish një çarje, apo Basha do të arrijë të mbijetojë me manipulime dhe mbrojtjen e Ramës, por një gjë tashmë është e sigurt, kryetari i shkarkuar sot është më jo legjitim se kurrë edhe tek ajo pjesë e mpakur e opozitës që ai drejton.

DEBATET E PLOTA NE MBLEDHJE

Lapsi.al sjell më poshtë një pjesë të këtyre debateve që u mbyllën pa ndonjë rezultat rreth orës 00.20.

Lulzim Basha: 6 marsi ishte kurth pas 8 janarit dhe ne u vendosem para detyrimit per te marre pjese ne zgjedhje. Nesër mblidhen organet e tjera te partisë.

Ferdinand Xhaferri: Jam më i vjetri dhe me më eksperiencë, s’kam ambicie, por përgjegjësi për PD. Berisha s’është zgjidhje dhe e ka mbyllur me PD-në, por ti na ke fyer kur thua s’kam humbur asnjë garë. Duhet të largohesh si kryetar.

Lulzim Basha: S’kam humbur asnjë garë. I kanë vjedhur.

Dashnor Sula: Cila është zgjidhja kryetar? Se kështu mund te na thuash përsëri. Si i jep zgjidhje? Ke përgjegjësi ti dhe ne. Nuk na beson më asnjë kështu. Nuk e kam parë kurrë PD si lopë për ta mjelë, por përkundrazi kam dhënë shume e s’kam kërkuar për të marrë gjë mbrapsht nga PD. Mandatin se shoh si privilegj absolutisht. Po te deklaroj qe nëse nuk ka zgjidhje ne PD mua mos me konsideroni me për zgjedhjet e ardhshme vendore.

Ilda Dhori: Duhet të ikësh, duhet të hapet gara në PD. Berisha e ka mbyllur duhet të zgjedhin demokratet cili na bashkon.

Helidon Bushati: Duhet të shkojmë përtej egos. Duhet kongres pajtimi, të bashkohemi! Duhet të gjithë në këtu dhe koleget tanë të ‘Shtëpisë së lirisë’ të kalojmë përtej egove personale për të mirën e PD. T’i hapet rruga zgjedhjeve. Duhet kongres pajtimi me pjesëmarrjen e të dy rrymave ku per te mirën e përgjithshme disa duhet te bejne nje hap prapa.

Emilia Koliqi: Bëj deklarate dorëheqjeje. Saliu është i ikur. Largohu që të bashkojmë partinë pa Berishën.

Agron Gjekmarkaj: T’i hapet rruga zgjedhjeve. Duhet një kongres pajtimi me pjesëmarrjen e të dy rrymave ku për të mirën e përgjithshme disa duhet të bëjnë një hap prapa. Duhet një komision që do ta çojë PD në zgjedhje. Unë do të mbetem një deputet i thjeshtë.

Lefter Gështenja: Duhet të bëni një hap pas ju i pari pastaj me radhë të gjithë në mënyrë që të bashkohen demokratët në bazë. Nuk mund të vazhdohet me kështu duhet reflektim i thellë nga të gjithë nga ju i pari, duhet të sakrifikojmë të gjithë që të shpëtojmë PD-në. Nëse na dhimbset vërtetë PD-ja duhet ta bëjmë sot se nesër do jetë vonë. Ju duhet të bëni një hap pas që të bashkohen demokratët. Sot demokratet janë të ndarë. Drejtuesit e partisë nuk dalin në terren janë larguar nga strukturat e Partisë Demokratike dhe shkojmë vetëm për fushata, nuk mund të vazhdohet kështu.

Selaudin Jakupllari: Duhet të punojmë për bashkim, duhet të reflektosh. Berisha e ka mbyllur me PD por duhet të bashkojmë bazën.

Ramadan Lika: Nuk të kam kërkuar kurrë gjë dhe të kam kthyer Koplikun si fitues, jam gati të dorëzoj mandatin. Duhet zgjidhje. Ti thua se “s’kena humb”, si nuk kena humb, jemi shkatërru. Nuk duhet të dalim pa vendim që këtu.

Kasem Mahmutaj: Duhet një garë e hapur, të gjejmë kush e bashkon nëpërmjet zgjedhjeve! Ne mund të flasim gjithë natën por këtij debati zgjidhje i jep vota!

Grida Duma: Para se të na drejtohesh ne me pyetje, kam ynë një pyetje për ty: “A ndjen ti kryetar përgjegjësi morale, personale për këtë humbje?! Lideri në një parti politike është 90% dhe numrat 2, 3 apo 27 çfarëdo të bëjnë nuk e zëvendësojnë dot as përmirësojnë dot liderin. Dëgjova që e nisët fjalën tuaj kryetar duke thënë ose me mua ose këtu do t’ju vijë Sali Berisha.

Sali Berisha duke dashur t’ju mundë ju, mundi Partinë Demokratike. Në këtë garë për shkak të luftës midis Sali Berishës dhe jush humbi Partia Demokratike. Në këtë betejë ne bëmë gjithçka të mos e bënim betejën “Berisha kundër Bashës”, por nuk e evituam dot.

Ju thoni sot ketu “o te jem unë ose këtu do jetë Sali Berisha”, pra o unë, o askush nuk mundet. Ç’ka do të thotë që kulti i individit që po luftojmë është ende më i rrënjosur. Kjo garë u bë “PD kundër PD” dhe kjo nuk është në asnjë moment e pranueshme më. Nëse doni të jeni i sinqertë vertet ju keni humbur shume beteja, dhe nga ky pranim nis zgjidhja.

Nëse doni te jeni i sinqertë bëni pyetjen troç. Ka dy pyetje të mundshme qe mund të na bësh e para: Ju lutem bëhuni me mua të gjithë që unë të mbaj Partine Demokratike se kështu dua unë si individ. Pyetja tjetër është: Si do bëjmë që përtej meje të ngremë Partine Demokratike për vetë Partine Demokratike. Cilën pyetje po na drejtoni të parën apo të dytën?

Elda Hoti: Duhet guxim, kemi turp nga familjarët. Dua të të tregoj realitetin, të kam thënë se gëzoj respekt për ty dhe do të mbështes, por tani po vihet ne diskutim dinjiteti. Nuk të pranojnë zoti Basha. S’është më në dëshirën apo vullnetin tonë!

Oriola Pampuri: Ne e dinim që do dilnim kështu sepse ishin zgjedhje kurth. Normale është të bashkohemi me demokratët në terren. Mos ta kërkojmë përgjegjësinë vetëm te Lulzim Basha. Kemi zgjedhjet e 2023. S’kemi kohë.

Xhelal Mziu: Zoti Basha, zgjedhjet u humbën. Ju keni përgjegjësi dhe duhet të jepni dorëheqje.

Leave a Comment