Nga: Edison Ypi
Atdhjeu
Atdhjeu është një vend banorët e të cilit, atdhjetarët, mburren me mungesat;
Me Historinë që nuk e njohin.
Trimërinë që nuk e kanë.
Punët që nuk i bëjnë.
Luftat inekzistente.
Artin që s’ja kanë haberin.
Lavdinë që nuk e meritojnë.
Atdhjeu është vendi ku të gjithë gjatë gjithë kohës largohen pafundësiaht nga faktet, nga realiteti, dhe konkluzionet i nxjerrin dhe vendimet i marrin vetëm nga pandehmat, ëndërrat, kllapitë, halucinacionet.
Në Atdhje, ku këndon bilbili, të deh parëvera, të rrënqeth vjeshta, të dalldis Prilli, të sëmur muzgu, frutin e vetëm që kultivohet me kujdesin më të madh, po ta tymosësh të bën të ëndërrosh, po ta shesësh nëpër botë mund të përfundosh në burg ose në fund të detit brenda një guacke ku duhet të presësh disa miliona vite derisa të shndrrohesh në smerald.
Atdhjeu është një gojë si shpellë brenda së cilës dikush dikur hodhi një patate të nxehtë që nuk kafshohet as nuk gëlltitet, vetëm rrotullohet nëpër gojë shoqëruar me britma të gojës drejtuar patates për braktisje të Atdhjeut.
Atdhjeu është një pusetë e zbuluar që kapakun ja kanë shitur për skrap, ku ditë e natë flitet e bërtitet pa u ndalur për pritshmëritë më të çmendura, deliret më të shkartisura, veset më të ndyra.
Atdhjeu është një orë muri me numura pa akrepa me një qyqe budallaqe që del e bën ku-ku sa herë që ndonjë gjel këndon ose ndonjë qen leh në oborr.
Atdhjeu do bëhet së afërmi vend pelegrinazhi ku atdhjerët e botës do marrin në atdhjeun tonë përvojat e pasurimit pa punuar, diturisë pa e mësuar, dashurisë pa e ndjerë. Paret që do fitohen nuk do numurohen as nuk do peshohen me dëngje si doiç markat e naftës së embargos kur Kosova digjej dhe Sudja ktihej. Do mblidhen me fshesë. Hidhen në thasë. Nga thasët drejt e në Qipro a në ndënjë parajsë tjetër këndej rrotull Atdhjeut tonë të lavdishëm ku edhe nëse je cop mishi ndjehesh rrot sallami.