Edison Ypi: “Atdhjeu ynë është pusetë e zbuluar që kapakun ja kanë shitur për skrap”

Ypi shkruan se në Atdhje (Atdhe), banorët janë krenarë për historinë, trimërinë, punën, luftën, artin dhe lavdinë, megjithatë, ato mungojnë në realitet. Atdhjeu është një vend ku faktet dhe realiteti zëvendësohen me mendime, ëndrra, halluçinacione dhe të dhënat e pavërtetuara – vazhdon Ypi

Ai përmend ndjenjat e izolimit dhe zhgënjimit të banorëve të Atdhjeut. Ai përfundon me një metaforë që përshkruan ndjenjën e jashtëzakonshme të tjetërsimit në Atdhje, ku ndjenjat e pafuqishme ndaj ndryshimit e bëjnë individin të ndjehet si një copë sallam në rrotullim.

Nga: Edison Ypi

Atdhjeu

Atdhjeu është një vend banorët e të cilit, atdhjetarët, mburren me;
Historinë që nuk e njohin.
Trimërinë që nuk e kanë.
Punët që nuk i kryejnë.
Luftat që nuk i kanë bërë.
Artin që s’ja kanë haberin.
Lavdinë që nuk e meritojnë.


Atdhjeu është vendi ku të gjithë gjatë gjithë kohës largohen pafundësisht nga faktet, nga realiteti, konkluzionet i nxjerrin dhe vendimet i marrin vetëm nga pandehmat, ëndërrat, kllapitë, halucinacionet.


Në Atdhje, ku këndon bilbili, të deh parëvera, të rrënqeth vjeshta, të dalldis Prilli, të sëmur muzgu, frutin e vetëm që kultivohet me kujdesin më të madh, po ta tymosësh të bën të ëndërrosh, po ta shesësh nëpër botë mund të përfundosh në burg ose në fund të detit brenda një guacke ku duhet të presësh miliona vite derisa të shndrrohesh në smerald.


Atdhjeu është një gojë si shpellë brenda së cilës dikush dikur hodhi një patate të nxehtë që nuk kafshohet as nuk gëlltitet, vetëm rrotullohet nëpër gojë shoqëruar me britma për braktisje të Atdhjeut.


Atdhjeu është një pusetë e zbuluar që kapakun ja kanë shitur për skrap, ku ditë e natë flitet e bërtitet pa u ndalur për pritshmëritë më të çmendura, deliret më të shkartisura, veset më të ndyra.


Atdhjeu është një orë muri me numura pa akrepa me një qyqe budallaqe që del e bën ku-ku sa herë që ndonjë gjel këndon ose ndonjë qen leh në oborr.


Atdhjeu do bëhet së afërmi vend pelegrinazhi ku atdhjerët e botës do marrin në atdhjeun tonë përvojat e pasurimit pa punuar, diturisë pa e mësuar, dashurisë pa e ndjerë.

Paret që do fitohen nuk do numurohen as nuk do peshohen me dëngje si doiç markat e naftës së embargos kur Kosova digjej dhe Sudja ktihej. Do mblidhen me fshesë. Do hidhen në thasë. Nga thasët drejt e në Qipro a në ishujt Solomon, a në ndonjë parajsë tjetër këndej rrotull Atdhjeut tonë të lavdishëm ku nëse je cop mishi ndjehesh rrot sallami.