Edison Ypi: “Bëje një selfie në hale. Vaska, zorra, bideja, dushi, brisku, shkuma, sapuni aty janë”

Edison Ypi flet dhe ironizon selfiet. Përshkruan se si disa njerëz ndjehen të injoruar dhe të pakënaqur për mungesën e vlerësimit të tyre në aspektet intelektuale dhe karakteriale.

Ypi argumenton se është padrejtësi dhe duhet të ndryshohet kjo situatë. Në vazhdim, ai sugjeron që banja mund të jetë një vend i përshtatshëm për të bërë selfi, duke përdorur pajisjet dhe ambientin e banjës për të krijuar kompozime interesante.

Në fund Ypi përmend disa lloje të tjera të selfieve, duke përfshirë selfien me dorën në mjekërr, selfien para pasqyrës dhe selfien me të ngrëna përpara, të quajtur “Sumtyryxhym”.

Shkrimi i plotë

Selfie

S’po ta var kush ?
Të kanë lënë pas dore ?
S’po ta vlerësojnë sa duhet diturinë, karakterin e fortë, zemërgjerësinë e rrallë, zjarrin që të djeg në gjoks ?


Është padrejtësi që s’durohet.
Duhet ndrequr urgjentisht.
Për të realizuar pretendimet që me të drejtë i ke, dhe për të vënë në vend padrejtësitë që po i vuan pa asnjë shkak, koha më e përshtatëshme është muzgu.


Për të mos u bezdisur nga prezenca e inatçinjve të shumtë që kujtojnë se të gjitha gjërat e bukura Zoti ua ka falur atyre ndërsa ty të ka lënë vetëm Noc Rrokun, zgjidh një vend intim, një vend larg vëmendjes së turmës ziliqare.
Pse jo banjën ?!


Me veglat e banjës; vaskën, zorrën, rubinetin, briskun sapunin, shkumën, peshqirin, dritaren prejnga duket Hëna, mund të bësh kompozime që ta çudisësh botën.
Përcakto pozicionin e kokës që drita të bjeri në pjesët më shprehëse të fytyrës prejnga të buçet zgjuarsia dhe gjenialitetet e tjera që i ke por keqdashësit t’i mohojnë.
Merr celularin.
Zgjate dorën.
Shkrepe bombën.
Bëre një Selfie.
Nuk je i vetmi apo e vetmja që bën gjëra të padobishme. Hajvanë si ty bota ka me miliona.
Mund të ndodhi që selfia që sapo bëre nuk të pëlqeu.


E çfarë se nuk doli mirë Selfia ?
Vaska, zorra, bideja, dushi, brisku, shkuma, sapuni, luna, aty janë. Bëj një tjetër selfie. Nëse edhe tjetra selfia nuk do të pëlqejë, bëj edhe nja 20 ose 30 selfie të tjera.


Ndonjë mik ose mikeshë ziliqare mund të mos i pëlqejë selfiet e tua. As për këtë mos u merakos.
Ndërkohë që ti bën selfiet e tua në banjën tënde, me mijëra të tjerë po bëjnë selfiet e tyre në halet e tyre, më për ibret se selfiet e tua. Mos humb kohë. Nisi urgjent pa dalë nga banja selfiet në të gjitha rrjetat sociale.


Selfia e banjës nuk është e vetmja. Ka plot selfie të tjera.


Selfia që bën, për shembull, një budalla që mbahet për opinionist me dorën në mjekërr ku çfaqet i menduar sikur ka mbi supe hallet e botës.
Selfia me dorën në mjekërr si mendimtar quhet Selfqirje, që rrjedh nga fjala greke “qirje” që do të thotë “zotni”.


Selfia që bëhet para pasqyrës quhet Selfpjerdhje.
Një tjetër Selfie goxha e përhapur është ajo kur një tufë barkderra dhe kokbosha bëjnë fotografi me të ngrëna përpara; Verë, birra, bërxolla, mëlçira, shpretka. Selfie më shtazarake se kjo përmes së cilës hajvanët e pangopur dëshmojnë urinë e etërve, nuk ka. Selfia me të ngrëna përpara quhet Sumtyryxhym.