Edison Ypi: “Gollobordasit pendohen që spiunuan Tironsit. Durrsakët pinë kafe te Torrja me sytë nga Kavaja.

Nga Edison Ypi

Unë Edison Bej Ypi, stërnip pashallarësh dhe rilindasish, shtëpi pene dhe pushke denbabaden qëkur s’mbahet mend, inxhinier dhe perfeksionist, skllav i përunjur i Bukurisë, efikasitetit, fjalës së zgjedhur, jam pronari i më të mëdhenjve çifligje të botës; çifligjeve të traditës, atdhedashurisë, qytetarisë, edukatës, respektit, ndjeshmërisë, shpirtmadhësisë, zemërgjerësisë, tolerancës, transparencës, mirkuptimit, shpresës, ëndërrave të mia.

Unë nuk shitem as nuk blihem. Për asnjë çmim. Vlera e çifligjeve që unë kam brenda gjoksit është e pallogaritëshme. Për t’i blerë apo shitur ato çifligje, pra për të më blerë apo shitur mua, duhet shqyer gjoksi im, ç’ka është e pamundur sa kohë buldozerat që atë shqyerje do ta mundësonin ende nuk janë shpikur.

Unë gjithë kohës udhëtoj kah errësira drejt dritës, kah gjumi drejt zgjimit, kah vdekja drejt lindjes.

Unë jam ëndërra. Nga ëndërra ime shpërthen drita.

Nga ëndërra tek ëndërra, nga drita tek drita, nga të dyja tek secila, nga secila tek të dyja dhe tek të gjitha, mua më mbështjell Liria.

Nuk kam caqe hapsionore; Për mua grimca është më e madhe se gjithësia, dhe gjithësia më e vogël se grimca.

Nuk kam pengesa kohore. Tek unë gjithçka ndodh në një kohë rrjedhën e së cilës e mat një sahat pa akrepa dhe numura.

Brenda meje ka kështjella me mure të lashta me myshqe dhe bedena të larta, rrethuar me ledhe të thella ku bëhen luftra të përgjakta pa fillim e pa mbarim.

Brenda kështjellave dhe ëndërrave të mia luftojnë heronj të pamposhtur me heshta, bomba, aeroplana. Oqeanet dhe detrat e mia ku fryjnë erëra të tërbuara janë të rrethuar nga mbeturina, rraqe, hekurishta, brisqe, biçaqe, karroca pa rrota, makina pa motorra, autobuza rrangalla, trena pa shina.

Kujet e kukuvajkave të pista dhe krrokamat e korbave të zinj nuk i mposhtin dot Nositat e m’i të bardhë.

Brenda kazanave të plehrave të mia kapardisen të patalentuar të shumtë që shkruajnë libra-këllira me shpresë se në promuovime do duartrokiten nga idiota.

Nëpër autobuza lehin zagarë që shkruajnë plehra dhe i gënjen mendja se budallenj të ngeshëm do t’ua lexojnë nëpër gazeta.

Hipur mbi makina bredhin vrasësa që realizojnë pajtime, hajdutë që kthejnë prona, qorra që kqyrin piktura, shurdha që dëgjojnë simfonira.

Mbi vagonat e trenave, disa ulur disa më këmbë, pa e ditur se nga janë nisur e ku po venë, kush me sqepar ngulur mbi shpinë kush me thik’ në fyt, lëvizin shqiptarë të therur të gjitha trevave.

Në çifligjet e mia myzeqarët falen për të internuarit nëpër kisha dhe monastere.

Tironcit përtypin caraca dhe hanë hurma.

Durrsakët pinë kafe te Torrja me sytë nga Kavaja.

Elbasanllinjtë marrin masa për të mos u kafshuar nga gjarpëri Zaranika.

Kavajsit shesin misra të pjekur.

Kolonjarët flasin për fundin e Universit.

Shkodranët mbi biçikleta thajnë fytyrën me karpeceta nga gjithai ujë që i rrethon dhe i lag.

Lezhianët ndreqin flokët që ua prish era që vjen nga Mirdita.

Mirditorët shesin mish derri në Milot.

Lebërit këndojnë “O Sole Mio”.

Krutanët përgatiten për vrasjen e rradhës.

Matjanët kujtojnë kohët kur prodhonin barut.

Dibranët shkojnë për eskursion te Kanioni i Radikës.

Gollobordasit pendohen që spiunuan çunat e Tiranës që donin të arratiseshin.

Skraparllinjtë pyesin të habitur Babain e Teqesë ç’dreqin deshi gjermani në Çorovodë ?

Korçarët dëgjojnë serenatën “Do çmendem nga bukuri’ e Saj”.

Në një tren nga dritaret e të cilit vijnë aroma papaveri, femra. Të gjitha Monaliza.

Në gozhda janë varur gravura të vjetra që bëjnë fjalë për heronj të sajuar dhe gjenialë të heshtur nëpër katunde duke kullotur lopën.

Mbi këto dete, makina, autobuza, kafenera, supermerkata, fusha, fshatra, karroca, trena, vagona, fluturoj unë që Bukurisë nuk i afrohem kurrë më tepër se duhet nga frika se çmendem.

1 thought on “Edison Ypi: “Gollobordasit pendohen që spiunuan Tironsit. Durrsakët pinë kafe te Torrja me sytë nga Kavaja.”

Leave a Comment