Nga: Edison Ypi
Vrite tjetrin
Mos e bëj ate gabim ta lësh tjetrin pa vrarë.
Po se vrave ti tjetrin, do të vrasi tjetri ty.
Vrite tjetrin pa të lëvizur qerpiku.
Edhe nëse tjetri është babai yt, ose vëllai yt, ose farefisi yt, mos e lër pa vrarë. Familiarët dhe farefisin i vret kollaj se atyre ua di oraret kur hyjnë e dalin, vendet e caktuara në trup ku po ti godasësh vdesin ngadalë, u del shpirti me vuajtje.
Momenti më i sigurtë për ty dhe për tjetrin që do vrasësh, është ta therësh në gjumë kur ti kryen detyrën patriotike të vrasjes dhe tjetri s’ndjen gjë, as të sheh me sy.
Tjetër mënyrë e mirë me e vra tjetrin është me bukë në gojë.
Edhe me mish në ngojë s’ësht keq ta vrasësh tjetrin.
Ta vrasësh tjetrin tu pi kafe në qef të vet, është gjithashtu madhështore. Se në këtë rast vërtet tjetrit ja merr jetën, por i jep një mësim të vlefshëm ta ketë për në botën tjetër ku të mos e teprojë me kafe dhe qef se i bëjnë dëm shëndetit.
Vrite tjetrin edhe kot, pa asnjë shkak.
Me kalashnikov, me sqepar, me sëpatë, me çfardolloj mjeti, për çfardolloj arsyeje, ose pa asnjë arsye, vetëm pa e vrarë mos e lër.
Ik vrite tjetrin.
Nisu.
Mos e zgjat.
Bjeri shkurt.
Trokiti në derë. S’ka rëndësi nëse tjetri del te dera i veshur apo i çveshur. Rëndësi ka tjetrin ta vrasësh në çast duke e goditur me hekur në rruz të qafës. Koka si bostan në dysheme. Gjaku vu.
Mos u tut nga njerzit e shtëpisë së tjetrit që vrave. Do kesh mirkuptimin e tyre të plotë. Rastin fatlum për ta hequr qafe njeriun e vet ata mezi e prisnin. Nuk do thonë e vrave ti. Policisë dhe televizioneve do u thonë erdhi e vrau njëri me motorr me shall të kuq dhe kapuç të zi që u largua në drejtim të paditur.
Në këto ditë të vështira që po kalon Kombi, ta vrasësh ti tjetrin dhe të vrasi tjetri ty, është vepër patriotike me vlerë të pallogaritëshme për brezat e ardhshëm që do mahniten me trimninë, burrninë, besën e brezave të tashëm, domethënë me ty dhe me shokët e tu që vrisni njëritjetrin.
Ti tjetrin, tjetri ty, e kështu me rradhë, derisa të mos mbetet shqiptar pa u vrarë.
Nëna, baballarë, vëllezër, motra, miq, mikesha, bij, bija, nipa, mbesa, kushurinj, kushurira, vritini të gjithë nga Konispoli në Vermosh dhe nga Devolli në Karavasta. Derisa të mbeten vetëm qëntë, zagarët, buçet, derrat dosat, gjarpërinjtë, nëpërkat, gaforret, krimbat, zhabat, pra ata që nuk janë aq të çmendur sa ta vrasin njëritjetrin.