Edison Ypi: “Një Fierak hiqte brekët e femrave nga lart. Nuk ja tregoi askujt të fshehtën”

Edison Ypi shkruan për mbathjet dhe mungesën e tyre gjatë diktaturës në Shqipëri.

Për shqiptarët, mbathjet ishin produkte të nevojshme dhe mungesa e tyre kishte ndikim në jetën e tyre të përditshme – shkruan Ypi

Ypi thotë se partia nuk lejonte që shqiptarët të importonin mbathje dhe disa njerëz arritën të prodhonin mbathje të zeza që ishin të rralla në Shqipëri.

Në kohën e demokracisë, shqiptarët kanë mundësi të hanë e pinë sa të duan, por problemi është gjetja e mbathjeve të përshtatshme dhe cilësore – vazhdon Ypi

Shkrimi i plotë

British Brak

Meqënse gjatë Diktaturës shqiptarët nuk hanin e pinin, për pasojë as nuk dhasnin e as nuk psharrnin, brakët s’u duheshin, pa brakë në bathë ishin.


Por partia nuk mund t’i linte bath përjashta që të ftoheshin e të pardhnin. Nuk mund të lejonte që atyre që ua kishte pardhur mendjen tua pardhte edhe bathën. Po ta bënte këtë do pardhte dhe vetë.


Asokohe më të mirat e brakëve i bënte brakatrazhi i Korçës i cili prodhonte edhe brakë të zeza që shqiptarët nuk kishin mbathur kurrë. Brakët e zeza në Shqipëri i sollën marinarët rusë.
Për brakët, si për çdo mungesë, flitej gjërë e gjatë. Thuhej se një fierak kishte zbuluar diçka që deri atëhere ishte konsideruar e pamundur; heqjen e brakëve të femrave nga lart. Fieraku nuk ja tregoi askujt të fshehtën. Priti ’90-ën i hipi vaporrit iku në Hollivud për ta shitur atje sekretin. Meqënse në Hollivud se shiti dot sekretin, shiti bathën e vet.


Ata që sot veshin brak Versace, atëhere quheshin “brak moot”.
Për ndonjërin që e xhvatnin thuhej; “ja hoqëm brakët”.


Për unitetin parti-popull thuhej; “bath e brak’”.
Kur një proletar i revoltuar duke i lënë të gjithë pa mënt për dijet e thella bathollogjike dhe brakologjike u ngrit në një mbledhje bëri propozimin që në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, “batha” të zëvëndësohej me “revolucionarja”, salla shpërtheu në duartrokitje.


Pati që dolën në përfundimin pesimis sipas të cilit ne shqiptarët kemi qënë e do mbetemi në jet’ të jetëve pa brak e pa bath.


Në Demokraci shqiptarët po hanë e pinë sa s’pëllcasin. Por janë pa bathë në brakë.
Brakët demokratike krahasur me brakët diktatoriale inekzistente janë aq të shumta e të larmishme sa s’i ç’të zgjedhësh; Të butikut, të gabit, të ngushta, të gjëra, të gjata, të shkurtëra, trekëndëshe, kuadratike, femrash me dryn për burra xhelozë, femrash të ngushta për burra liberalë, të puthitura për meshkuj namuzqarë, të hapura për burra praktikë, të bardha, të zeza, me ngjyra, pa ngjyra, të ndera në tela, të hedhura në plehra, me xhepa, pa xhepa, me dhe pa kopsa, me ushkur, me llastik, me mbishkrime të thjeshta, me mbishkrime erogjene, pa mbishkrime fare, të pambukta, të leshta, të akrilikta, të buta, të forta, të freskëta, të flakura të lagura, të thata, të palosura, të lira, të shtrenjta, allaturka, allafrënga, civile, ushtarake, etj. etj.


Por problemi i gjetjes së brakëve të përshtatëshme në Demokraci është si puna e gjetjes së një kafeneje të rehatëshme; Ka plot, por zor të gjesh 1 sipas midesë.


S’lash’ vend pa kërkuar një palë brakë të mira. Te shumica, te pakica, mbi trotuare, nëpër dyqanet e qëndrës, të periferisë. Deri edhe nëpër butiqe ku pashë brakë gabi. Pastaj te gabi ku pashë brakë butiqesh.


I harrova brakët e butiqeve me shitëse hollake pa bathë e pa brakë, dhe j’u vërsula çamit dhe shumicës. Atje u ngatrrova më keq. Mund të duken të mira, si masë, si fomë, si ngjyrë, dhe i merr. Por pas larjes shndrrohen, o në të gjëra që bien vetvetiu dhe të duhet ti ngresh vazhdimisht, o të ngushta që s’i mbath dot.


Mu duk se do mbetesha përgjithmonë pa brakë në bathë dhe pa bathë në brakë.


Kur befas, Zoti i Madh që fatziun që nuk gjen dot brakë për bathë e pa, e njohu, iu dhymys, e ndihmoi. Një e panjohur nga Anglia më dërgoi një Kulmak me British Brak.