Edison Ypi: “Nusja ime katundare iku me dashnorin. U detyrova të martoj një surrat nallane”

Nga: Edison Ypi

Dasma ime

-Në katundin tim kurrë nuk ka ndodhur gjë më interesante se dasma ime.


Pas pesë vitesh që erdha nga emigracioni ku fitova ca çika lek, vendosa të martohem.
Pyet këtu e këtje, ja vura syrin për shoqe të jetës një perrie në katundin ngjitur.


Ramë dakord me babanë e vajzës.
Bëra përgatitjet.
Erdhi dita e dasmës.


U nisën krushqit për të marrë nusen.
Kur arritën mbetën me goj hapur; Gjysëm ore para mbërritjes së krushqëve, nusja ishte zhdukur, ishte rrëmbyer me dikend që e dashuronte marrëzisht prej kohësh.
U llaftarisa.


Dasma ime kishte qënë një ëndërr.
“Shoqja e jetës” tradhëtare. Jeta skëterrë. Çfarë gabime, krime, mëkate, kisha bërë që dasma më iku për dhjam qeni ?


Ku s’më vajti mendja. Ndoshta duhej të kisha bërë më tepër kujdes me perrinë, të isha treguar më i afërt, më i dashur, ta kisha puthur, përkëdhelur, shoqëruar, sajdisur.
Nuk mund ta zgjasja me teorira dhe ëndërra.
Rrethanat dramatike kërkonin zgjidhje të shpejtë.


Mblodha veten.
I them babait të tradhëtares;


Ç’më bëre o i uruar ? Vajzën e desha, dasëm përgatita, ku të mbytem unë i mjeri tani ?
Mos e prish gjakun, mos u shqetso, tha babai i besëprerës. Ajo që iku, iku. Tani, që unë të mos luaj mendsh, dasma jote të mos prishet dhe jeta jote të mos nxihet, propozoj këtë zgjidhje për të dalë nga situata;


Kam dy çupa të tjera. Merre për grua njërën prej tyre. Zgjidhe vet cilën të duash prej të dyjave. Hajt u trashëgofsh.


Mora kokën mes grushtave. Thashë me vete;
Ç’thot’ kështu ky vjehërr monstër ? Le nusja dhe dasma, po jetës time si i bëhet ? Problemi duhet parë me seriozitet, me thellësi, me gjakftohtësi. Po ta prish këtë dasëm, mendova, do më ikin dëm përgatitjet, do më duhet kohë dhe lodhje të tjera për të gjetur një tjetër nuse dhe të bëj një tjetër dasëm. Por mbase gjëndja nuk është aq dramatike.


I them vjehrrit shejtanbudalla; Dëgjo o vjehërr, zere se mu ça goma e makinës në mes të rrugës dhe do ta zëvendësoj. Vish nuse cilën të duash nga dy çupat. Le të kërrcasë ahengu, kënga, vallja, sazja, daullja, mishi, rakia. Le të vazhdojë dasma ime që për qime desh’ u prish.
Ashtu u bë.


Mora për grua njërën nga dy çupat e vjehrrit. Një surrat nallane që s’shifet me sy, edhe lugatin e tremb.
Kështu, që thua ti, mbaroi dasma ime.
Kujdes ti ore me dasmën tënde.
-Un’ nuk do martohem.
-Pse ?
-Sepse para dasmës tënde katastrofike preferoj dasmën time inekzistente.

Leave a Comment