Florian Binaj godet Edi Ramën: “Po vuajnë njerëzit për bukën e gojës. Artistët të bashkohen me ne”

Aktori i humorit, Florian Binaj mori pjesë sërish në protestën përpara Kryeministrisë për rritjen e çimeve. Ai shpjegon se qëllimi i kësaj proteste është ulja e çmimeve të ushqimeve të shportës, të energjisë dhe të naftës.

Përveç kësaj, Binaj u shpreh se në këtë protestë nuk janë të mirëpritur politikanët, pasi ata nuk kanë kërkuar falje e për pasojë, politikat e tyre janë arsyeja që vendi ndodhet në një situatë të tillë të vështirë.

Është hera e dytë që organizohet një protestë e tillë, apo jo? Cili është qëllimi i saj, Florian? Ti je njëri nga nismëtarët, apo jo?

Unë jam një nga bashkë-nismëtarët, por qëllimi i kësaj është ajo që e dimë të gjithë. Ne të gjithë i dimë padrejtësitë që ndodhin në këtë vend, por ndryshimi i vetëm është a do të vendosim të mbyllim gojën dhe të ecim përpara apo çohemi do ngremë kokat?

Të gjithë e dimë që kemi njerëz qoftë në familje, qoftë në fis, qoftë komshi, qoftë në lagje, qoftë ndonjë i njohur që vuan për bukën e gojës në fund të muajit, që i mbaron ai pensioni për 10 ditët e para, që e ka të vështirë të lëvizë me makinën e tij për të çuar një fëmijë në spital sepse është nafta shumë e shtrenjtë, që janë dritat shumë të shtrenjta, kështu që e vetmja gjë që na ka sjellë këtu në shesh të gjithëve është padurueshmëria ndaj kësaj padrejtësie që i bëhet qytetarëve, që nuk pyeten asnjëherë, që u vendosen çmimet sipas qejfit, po e hëngrën mirë, po s’e hëngrën vazhdojmë ecim përpara.

Kjo duhet të ndalojë sepse në të gjithë Europën, ne duam t’i ngjajmë Europës, por i ngjajmë vetëm për shtrenjtësinë, për cilësinë nuk i ngjajmë fare.

A pranoni që t’iu bashkohen politikanë në këtë protestë?

Jo, jo, jo, absolutisht jo. Nëse jemi sot për të protestuar këtu jemi për shkak se…

A ka tentuar ndonjë politikan t’iu bashkohet?

Javës që shkoi na thanë që kishte tentuar njëri, ishte përpjekur, por ne jemi këtu për shkak se të gjithë politikanët në këto 30 vite, ata që janë sot në pozitë e ata që janë në opozitë, e kanë çuar në këtë vend. Vetëm ata nuk kanë vend këtu, në daç të vijnë si civilë, në daç të vijnë si qytetarë, në daç të vijnë si politikanë, nuk kanë vend se asnjë nga këta nuk ka kërkuar falje, nuk është penduar për paaftësitë e tij që e kanë çuar vendin në këtë pikë.

Çfarë prisni ju nga kjo protestë, Florian? Unë të përgëzoj për iniciativën, padiskutim, një protestë qytetare.

Unë pres që të na bashkohen shumë artistë, kolegët artistë sepse artin e kanë shtrydhur dhe e kanë lënë pa bukë, e kanë lënë të varfërohet në atë pikë saqë po i shërben më shumë politikës sesa vetë qytetarëve. Arti duhet t’iu shërbejë qytetarëve.

Çfarë prisni, kërkesat tuaja janë të drejtpërdrejta, të stopohet rritja e çmimeve të ushqimeve, të mallrave të konsumit?

Të ulet çmimi i energjisë elektrike, të ulet çmimi i naftës, të ulen shumë çmime të shportës sepse politikat për t’i bërë këto janë, mjafton vetëm vullneti dhe nuk janë bërë deri më sot pikërisht sepse askush nuk është çuar t’i bëjë. Në qoftë se ne nuk çohemi edhe për ata që kanë nevojë, atëherë nuk jemi më qytetarë të një vendi, jemi qytetarë të vetes sonë.

Leave a Comment