Ish-kreu i Bashkisë së Lushnjes Fatos Tushe ka kërkuar një masë më të lehtë sigurie, me pretendimin se ka probleme me shëndetin, dhe është intolerant ndaj disa ushqimeve.
Në kërkesën e avokatëve mbrojtës në apelin e posaçëm, thuhet se Tushe ka probleme me mushkëritë dhe gur në tëmth, ndërkohë që ka kërkuar lirinë përmes garancisë pasurore.
“Nuk jam i rrezikshëm, dhe jam i gatshëm që të ofroj garanci pasurore për lirimin tim. Kam probleme kardiake, gur në tëmth dhe vuaj nga mushkëritë. Kërkoj lirinë pasi jam intolerant dhe alergjik edhe ndaj ushqimeve”, mësohet të ketë thënë Tushe përpara gjykatës.
Tushe u arrestua nën akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, ndërkohë që kërkesë për një masë më të butë kanë bërë dhe vartësit e tij në Bashkinë e Lushnjes.
Ish-kryebashkiaku, u shkarkua të nesërmen e arrestimit, me firmë të kryeministrit Edi Rama, i cili ka thënë se Tushe duhet të përballet me drejtësinë pa mbështetjen e PS-së.
Tushe dhe vartësit u vunë nën hetim për një tender të kanalit kullues, me vlerë 24 milionë lekë të reja.