Adhurim Demiri, një nga kantautorët legjendarë të muzikës shqiptare, kthehet në skenë pas shumë vitesh me një koncert recital. Në një intervistë në “ABC e Mëngjesit”, ai zbuloi se recitali do të mbahet në datën 26 qershor në Kishën Ortodokse në orën 20:00. Ai gjithashtu ndau disa detaje të tjera, duke përmendur se do të ketë pjesëmarrjen e emrave të njohur të muzikës shqiptare si Elton Deda, Aleksandër Gjoka, Eneda Tarifa, dhe të tjerë.
Në një moment, Adhurimi u bë nostalgjik dhe kujtoi kohën kur ishte një nga këngëtarët më të dashur në Shqipëri, ndërsa punonte në një restorant McDonald’s në Austri. Atje ai ka larë tenxheret dhe qëronte patatet.
“Kur ika në Austri për herë të parë, në ato vitet e para, muajt e parë fare, nga gjithë ajo skenë, unë kam punuar në McDonald’s, kam larë dhe tenxhere, kam qëruar dhe qepe dhe patate, kam djegur dhe duart te soba. Unë jam mëngjarash dhe ajo soba kishte një kapak që hynte djathtas, unë futesha majtas dhe digjesha gjithmonë. Unë në atë kohë këtu isha shumë i famshëm, por vajta te familja në Austri dhe punova. Kam punuar dhe nuk e kam fare për turp, e kam për krenari”, rrëfeu ndër të tjera ai.
Përgjegjësja për të gjitha detajet organizative të koncertit është Kisha Ortodokse, ndërsa fansat e Adhurimit dhe të muzikës shqiptare presin me padurim për këtë eveniment të jashtëzakonshëm.