Këshilli Shqiptar i Medias: “Xheni Karaj nuk ka thënë që të hiqet fjala nënë dhe baba nga fjalori. E keni keqkuptuar”

Këshilli Shqiptar i Medias, ka dënuar gjuhën diskriminuese dhe deklaratat që nxisin urrejtjen ndaj komunitetit LGBT+, të bërë në disa televizione dhe portale shqiptare.

Një lajm i rremë i publikuar nga një sërë mediash, me titujt “Komuniteti LGBT kërkohn heqjen e fjalës nënë” dhe disa debate televizive, kanë shkaktuar reagime diskriminuse, homofobike dhe kanë nxitur urrejtjen ndaj këtij komuniteti

Në reagimin e KSHM, thuhet se kjo organizatë dënon kategorikisht çdo deklaratë apo prononcim që e kthen debatin në agresion, dhunë e diskriminim.

Deklarata e plotë: 

KSHM ka ndjekur me shumë shqetësim përshkallëzimin e debatit mbi terminologjinë emërtuese të prindërimit në dokumente zyrtarë.

KSHM vëren që shumë portale, kanë nxituar për të pasqyruar debatin e zhvilluar në 2 televizione, ABC dhe TCH, duke keqcituar përfaqësuesen e komunitetit LGBTI, Xheni Karaj. Ndërsa komuniteti LGBTI kërkon që krahas termave “nënë” e “baba” të shtohen edhe termat “prind 1” dhe “prind 2” çka do të mundësojë që fëmijët e tyre të mund të regjistrohen zyrtarisht, shumë portale e kanë pasqyruar debatin sikur komuniteti LGBT kërkon “heqjen” e fjalëve nënë e baba deri dhe nga fjalori.

KSHM u kërkon portaleve të korigjojnë keq-citimin, për të shmangur nxitjen e gjuhës së mëtejshme të urrejtjes që ka pasuar këtë debat.

KSHM mbështet aktivisten Xheni Karaj dhe lirinë e shprehjes, duke dënuar ashpër çdo lloj mesazhi të dhunshëm e diskriminues ndaj saj, dërguar në mënyrë private ose dhe publike në rrjetet sociale.

KSHM mbështet lirinë e çdo individi për të shprehur lirisht mendimet e veta pro dhe kundër temës në fjalë, por dënon kategorikisht çdo deklaratë apo prononcim që e kthen debatin në agresion, dhunë e diskriminim.

KSHM, këshillon televizionet TCH dhe ABC por dhe portaleve që e kanë pasqyruar ngjarjen, që të moderojnë komentet në youtube apo në rrjetet e tyre sociale, dhe të bllokojnë çdo lloj komenti të dhunshëm ndaj komunitetit LGBT, përfaqësuesve të tyre apo kujtodo që atakohen ne mënyrë agresive vetëm se shpreh një mendim ndryshe.