Lajm i fundit! Ndërron jetë shkrimtari shumë i njohur Shqiptar. Koro’na i rëndoi gjëndjen shëndetësore.

Shkrimtari i njohur Uran Kostreci, “rebeli” që diti t’i bëjë ballë diktaturës së egër komuniste dhe i “syrgjynosur” disa herë nëpër burgjet e ftohta të Shqipërisë, ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare.

Kostreci prej ditësh ishte i infektuar nga koro’na dhe iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale e cila rëndoi gjendjen e tij shëndetësore duke i marrë jetën.

Ja nje profil i shkrimtarit i shkruajtur 3 vite me pare

45 vitet e errëta të komunizmit dhe shija e hidhur që ai regjim la dekada më pas, duket se nuk kanë arritur ta zymtësojnë shpirtin e të mbijetuarit të asaj periudhe të zezë, Uran Kostrecit. Sot ai është 80-vjeç, më i gjallë dhe më i lirë se asnjëherë më parë.

E takuam në kafe Piazza në Tiranë, ku kalon pothuajse çdo ditë një pjesë të mirë të kohës. Një cep i kafesë është i preferuari i tij, të cilin Urani e quan edhe ‘studio’, ku hedh në letër çdo frymëzim të momentit, pasion të cilin e ruan që nga rinia. Një pjesë e madhe e soneteve të tij e marrin frymëzimin nga ai vend i qetë, në të cilin të gjithë e njohin dhe e përshëndesin me përzemërsi.

I veshur me kostum, me sytë e qeshur ngjyrë blu dhe me kapelën e republikës mbi kokë, Urani nis të rrëfejë teksa ndez një cigare se kapelja i mbulon një plagë të hershme të një fisheku, i cili e kishte prekur gjatë mundit për tu arratisur në diktaturë.

I lindur në qytetin e Korçës më 29 janar të vitit 1938, ai pranon se me komunizmin është njohur që në moshë fare të vogël, kur ishte vetëm 8-vjeç. Babain e tij, Fuat Kostrecin, e arrestuan në vitin ’86, pasi e akuzuan për komitete klandestine për të rrëzuar pushtetin. Që atëherë, për Uranin fillon kalvari i vuajteve të gjata prej komunizmit.

“Nuk mjaftoi babai që u arrestua, por ne na nxorrën nga shtëpia. Na i sekuestruan të gjitha plaçkat e nuk na linin rehat në një vend. Brena 6 muajve na ndërruan 4-5 shtëpi. Ishim mamaja, unë dhe vëllai i vogël.”

Sipas Uranit, komunizmi është një regjim që triumfon nëpër popujt më të pakultivuar, të paarsimuar dhe më të kollajshëm për t’u mashtruar dhe kjo ndodhi edhe me popullin shqiptar. Duke eleminuar ajkën e kombit, duke terrorizuar e plaçkitur, populli u nënshtrua ndaj regjimit. Mirëpo Urani ishte i vendosur të ndiqte studimet e tij dhe me shumë mund përfundoi normalen e Elbasanit. Duke u bazuar në rezultatet e mira me të cilat doli, atë e emëruan arsmitar në qytetin e Vlorës. Herë pas here, gjatë punës si arsimtar, Urani kishte provuar të shkruante poezi dhe gazetat me përmbajtje shkollore mbusheshin prej tij. Mirëpo, shpirti i tij prej rebeli i jepte guxim të shkruante edhe gjëra të ndaluara, për shkak të të cilave e pësoi më vonë.

Magazinieri i kooperativës, i cili ishte spiun, i gjeti një poezi ku Urani shkruante keq për Enver Hoxhën. 
 “Ajo poezi ishte me përmbajtje aq të tmerrshme sa unë haja patjetër burgun, por do të merrnin në qafë dhe të familjes. Atëherë, atë që kisha menduar herë pas here, që mund të arratisem, u detyrova ta përshpejtoj.”

Duke tentuar të largohet, e arrestojnë në liqenin e Pogradecit dhe e dënojnë me 15 vite burg në Burrel. Poezia për Enver Hoxhën nuk doli asnjëherë dhe Urani u dënua vetëm për tentativën për arratisje. Në 5-6 muajt e fundit të 15 viteve të vështira në Burrel, atë e rrëmbejnë, e dërgojnë në policinë e Burrelit dhe e akuzojnë se në sy të kapterrëve kishte sharë Enver Hoxhën, gjë që nuk ishte e vërtetë. Për këtë veprim, e dënojnë edhe me 8 vite të tjera.

“I mbarova 20 vite dhe nuk kisha asnjë besim se mund të dilja prap, se ata dënonin dhe tre herë.” –shprehet ai. Mirëpo,  për fat të mirë atë kohë ishte ‘Lëvizja e Kosovës’ dhe Uranin e liruan.

“Erdha në Elbasan, ishte vetëm vëllai. Babai, mamaja dhe halla kishin ndërruar jetë.”

Torturat e tij nuk përfunduan me kaq. Pas një viti e gjysmë, kur Urani kishte filluar të punonte si hamall, e arrestojnë dhe e internojnë në fshatin Kurtaj të Peqinit. Megjithëse i internuar dhe i nënshtruar, shpirti i tij rebel nuk u ndal asnjëherë të thurë plane, ndaj ai planifikon sërish të arratiset. E zënë në tren dhe e burgosin në Fier, por pas tre orësh Urani arrin t’ju ikë nga duart dhe e kalon mbrëmjen në shtëpinë e disa të njohurve. Mëngjesin tjetër udhëton në këmbë nga Fieri në Levan, por arrijnë ta zbulojnë dhe e kapin sërish, duke e goditur me një hekur në kokë.

“Kur hapa sytë, u zgjova nga shkelmat e atyre që më zunë dhe duart lidhur mbrapa me hekura. Më kanë bërë një torturë, një të rrahur, që mund të vdisja. Më shpunë në Elbasan dhe më dënuan me 3 vite të tjera.”

Urani pranon teksa ndez cigaren e katërt se shumicën e vuajtjeve ja ka shkaktuar vetë vetes, për shkak të natyrës së tij prej rebeli. Ai rrëfen se megjithëse kanë kaluar vite dhe tashmë është 80-vjeç, ka mbetur sërish një rebel në shpirt, i cili është i gatshëm kurdoherë të protestojë e të ngrihet kundër diçkaje që nuk është në interesin e tij.

Shpirtin e tij rebel e ka treguar edhe në sonetet e shumta që ka shkruar e vazhdon të shkruajë, shumicën e të cilave i ndan me ndjekësit në profilin e tij në Facebook. Disa prej tyre janë shkruar gjatë viteve kur ndodhej i burgosur dhe i internuar, si ‘Epopeja e karkalecave’, poemë satirike të cilën megjithëse nuk e ruajti si dokument, Urani e fiksoi në mendje dhe e publikoi më pas, kur u emërua kryeredaktor i gazetës ‘Liria’, i zgjedhur nga shoqata e të burgosurve që u hap në Elbasan, ku u emërua më parë edhe si kryetar.

Pas 5 muajsh të suksesshëm me gazetën, ai përzgjidhet si kryetari i Partisë Demokratike në Elbasan, megjithatë pas disa kohësh jep dorëheqjen, për tu marrë me diçka më të rëndësishme për të, antigjenocidin.

“Hetova për të futur brenda 30 vetë, nga ata që ishin përgjegjës për komunizmin. U futën brenda por i nxorri ’97-ta, i dha pafajësinë, i dha edhe para si dëmshpërmblim që ishin futur “kot”. Në një intervistë Ramiz Alia tha se ata që bënë hetimet e gjenocidit duhet të vihen përpara drejtësisë, isha në rrezik të madh dhe u detyrova të lëviz nga Shqipëria.”- tregon ai.

Viti 1997 e gjen Uranin në Amerikë, i strehuar nga shoqata ‘Vatra’, të cilët i dhanë një dhomë. Ndërkohë ai kërkoi azil politik dhe ndihmohej paksa nga shteti Amerikan, derisa në vitin 2007 e ndau mendjen ta lërë Amerikën e të kthehet në atdhe, ku botoi edhe një libër me sontete e një novelë. Që prej vitit 2007 Urani jeton në qytetin e Tiranës dhe nuk ka ndërmend të lëvizë ndonjëherë, por shprehet se do të bëjë çmos që fjalët e vuajtjet e pathëna të popullit të nënshtruar shqiptar, ti shpjerë në veshët e brezave të rinj e të shkruajë sa të mundet në vijimësi për vuajtjet e tmerrshme që ai e shumë të tjerë kanë provuar në kurriz gjatë kohës së diktaturës. Urani nuk u martua asnjëherë dhe jeton i vetëm, megjithatë orët e ditës së tij ja kushton miqve dhe shkrimeve të shumta, për të cilin janë pasuria më e madhe që ka.

Leave a Comment