Lajmi Fundit/ Arrestohet në flagrancë 22 vjeçari që shkaktoi aksidentin me shpejtësi ekstreme.

Igli Madani, 22-vjeçari që po drejtonte mjetin tip “Audi” në aksidentin tragjik në aksin Fier-Vlorë është vënë në pranga.

Sipas policisë, i riu ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka goditur nga mbrapa automjetin tip “Toyota” me të cilin po udhëtonin anëtarët e familjes Gushi.

Si pasojë e aksidentit tragjik humbën jetën Eduarti me Silvanën si edhe dy vajzat e tyre, Anastasia dhe Eva, njëra 14 dhe tjetra 9 vjeçe. Kurse, të plagosur mbetën edhe personat që ndodheshin në mjetin tip “Audi”, Igli Madani, Fabio Lamaj, 21 vjeç dhe 24-vjeçari Glorian Selimaj.

Njoftimi i plotë 

Arrestohet në flagrancë drejtuesi i mjetit që dyshohet se shkaktoi aksidentin në aksin rrugor Fier-Vlorë.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin:

I. M., 22 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar automjetin tip “Audi”, në aksin rrugor Fier-Vlorë, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka goditur nga mbrapa automjetin tip “Toyota” me drejtues shtetasin E. G., 44 vjeç dhe si pasojë ndërruan jetë 4 shtetasit që udhëtonin me mjetin mjetin “Toyota”. Gjithashtu, si pasojë ka mbetur i dëmtuar vetë drejtuesi i mjetit “Audi” dhe dy pasagjerët, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.