Deputeti i ardhshëm i Kuvendit të Shqipërisë, Mark Marku, i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit 2021 në qarkun e Lezhës, duket se është ndër të paktët brenda PD-së që guxon të flasë dhe të kritikojë partinë dhe liderin, aty ku duhet dhe nëse gjërat nuk shkojnë mirë.
Marku ka një të kaluar të ngjashme edhe në kohën kur PD e drejtonte Berisha, dhe qysh atëherë ishte ndër të paktët që bënte kritika.
Pedagogu i njohur ka publikuar një segment ligjërate në rrjete sociale, ku pranon dhe kërkon që edhe të tjerët ta pranojnë, se PD nuk është më forcë e parë në Shqipëri, qysh prej vitit 1992, ndaj bën thirrje që ky fakt që shpeshherë është përdorur si sulm nga kundërshtarët, të mos anashkalohet pasi është një problem që nuk zgjidhet vetë.
“Më në fund, PD duhet të përballet me faktin se qysh prej
zgjedhjeve të marsit të vitit 1992, PD nuk është parti me numrin
më të madh të votave, madje edhe kur është parti fituese e
zgjedhjeve. Ky fakt i përmendur shpesh nga kundërshtari është
anashkaluar vazhdimisht, a thua se anashkalimi i saj e zgjidh vetë
problemin. Zgjidhja e këtij problemi nënkupton jo vetëm një ide
hapjeje, por një ristrukturim të marrëdhënieve të PD-së me
grupet e interesit, shoqërinë civile, botën akademike, mediat, pra,
me shoqërinë shqiptare në tërësi. Për shkak të ngurtësimit 30-
vjeçar të këtyre marrëdhënieve në PD, mendohet gabimisht se
nevoja e trupës politike të PD-së për pushtet është edhe nevojë e
shoqërisë shqiptare”.
Mark Marku

Ai kërkon një ristrukturim të PD-së me grupet e interesit, shoqërinë civile, botën akademike, mediat dhe gjithë shoqërinë shqiptare në përgjithësi.
Edhe para dy ditësh Marku foli me kritika teksa shkruante në Facebook se PD po kalon momente dramatike dhe se elektorati është demoralizuar nga humbja.
