Nikollë Lesi: “Basha merr masa ekstreme sigurie. Policia speciale i rrethon shtëpinë. Frika e Bashës nga kërcënimet”

Nikoll Lesi shkruan në gazetën e tij, se Lulzim Basha me përjashtimin e Berishës mori një vendim të madh, por dhe të rrezikshëm, pasi rrezikon edhe vetë jetën e vet.

“Më në fund njëherë në jetën e tij politike Lulzim Basha mori një vendim, i cili mbetet vendimi madhor, por edhe i rrezikshëm.

Ai përjashtoi Sali Berishën nga PD!

Basha akuzohej se ka humbur zgjedhjet nga ish-drejtues të PD-së.

Berisha nuk foli!

Basha përjashtoi Topallin, Imamin, Patozin, Boden, etj. Prapë Berisha nuk foli!

Basha bëri marrëveshje me Edi Ramën në vitin 2017. Berisha foli me gjysëm zëri!

Basha spastroi PD.

Saliu nuk foli!

Basha humbi prapë zgjedhjet me 25 prill 2021. Berisha nuk foli!

Basha e përjashtoi edhe Berishën.

Saliu, foli!

Nëse bën kronologjinë e jetës politike të drejtimit të PD-së nga viti 2013 e deri më sot prej Lulzim Bashës, ai punoi ngadalë e pa zhurmë, derisa arriti mbrëmë me datë 9 shtator 2021 që të përjashtonte dhe vetë ish-liderin, atin shpirtëror politik, njeriun që e solli nga Kosova direkt në krye, Sali Berishën.

Berisha reagoi, fort. Tamam si ai luani që kapet për tu futur në qark hekuri!

Plasi në selinë blu sherrnaja mes deputetëve dhe Lulzim Bashës.

Filluan komentet denigruese në rrjetet sociale kundër Lulzim Bashës.

Kërcënime hapur, mesazhe të tmerrshme, ironi, batuta dhe paralajmërime fizike!

Mbi 70 % e demokratëve në një sondazh të Euroneës albania thanë se nuk janë dakort me vendimin e Bashës.

Pra PD-ja u ndez, por jo kundër Ramës. Kundër njeri tjetrit!

Me saktë ndaj Lulzim Bashës.

Shërbime të përforcuara policore dhe civile (polici speciale) kanë rrethuar shtëpinë e Bashës.

Po kështu ai lëviz në masa sigurie ekstreme”, shkruan ai.

Sipas Lesit, Rama është njeriu më me fat në këtë situatë.

“Edi Rama qenka me fat, ka lindur me “kemishë”, siç thuhet. Në vend që të mblidheshin opozitarët për ta rrëzuar kryeministrin e PS-së, Edi Ramën, tashmë atyre do iu duhet të luftojnë me njeri- tjetrin.

Përjashtimi mbrëmë i Sali Berishës nga PD, prej kryetarit aktual, Basha ka krijuar një sherrnajë të madhe në selinë blu.

Grupi parlamentar mbetet i përçarë, partia e copëtuar më shumë se sa ishte me 25 prill 2021.

Ndaj Edi Rama qeveris i qetë, pa opozitë ose me saktë me një PD të dërmuar e cila nuk e merr më veten.

Kryeministri Rama do të drejtojë këtë mandat qeverisës me një opozitë të përçarë mes vetes, me një PD në flakë, ku nuk i dihet fundi i shkrumbimit dhe me një LSI të rrudhur në 4 deputetë”, shkruan ai.

Leave a Comment