Nikollë Lesi shpërthen kundra Metës: “Jam i detyruar të flas publikisht. Je i padrejtë dhe hakmarrës. Nuk ta fal”

Nga Nikoll Lesi

Ilir Metën e kam mbrojtur në disa çështje jetike për vendin dhe nuk jam penduar. KOHA JONE e ka mbrojtur kur Berisha donte ta therte si djalosh deputet opozitar, sikurse edhe kur Fatos Nano donte ta rrëzonte padrejtësisht si kryeministër apo edhe tani si president në raport me sulmet e paskrupullta të Rilindjes për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Edhe kur vinte te redaksia e KOHA JONE për të sjellë shkrime apo kur priste te dera e bilardos se lagjes sa të mbaroja një lojë bilardo me Ben Blushin që ti shikonim artikullin; edhe atëkohë e respektonim për kurajon që manifestonte ndaj liderit të PS-së.

Por kur Ilir Meta nuk respekton median KOHA JONE, vetëm se u ndamë në raport me disa qëndrime të tij gjatë javës së fundit të zgjedhjeve parlamentare dhe sidomos me një deklaratë të tij në raport me SHBA, jam i detyruar të flasë publikisht kur shikoj se në 30 vjetorin e gazetës KOHA JONE, gazetës që bëri histori e betejë përplasje me pushtetin e kohës për lirinë e fjalës, ai nuk nxori një dekoratë respekti për gazetën apo për të paktën disa gazetarë të saj që kanë bërë emër në këto 30 vite.

E ndërkohë ai pardje dekoroi disa gazetarë, që gjithsesi mirë bëri për të paktën dy prej tyre, por kur ai injoron median më të madhe të këtyre 30 vitëve pluralizëm, nuk mund ta mbyllë gojën.

Nuk mund të mos flasë, sepse kam detyrim ndaj vetes, ndaj pjellës time mediatike KOHA JONE, ndaj dhjetra e dhjetra gazetarëve të cilët erdhën në KOHA JONE, të cilët kontribuan në rritjen e emrit të saj, sikurse morën nga lavdia e gazetës.

Të them se nuk ndihem i fyer kur dekoron të tjerë gazetarë që nuk kanë lidhje me KOHA JONE, me duhet të gënjejë!

Të them se nuk ishe Ti i para zgjedhjeve të 25 prillit që më thoje se 30 vjetorin e KOHA JONE do të dekoroje gazetën si instutucioni më i rëndësishëm i fjalës së lirë në këto 30 vite, me duhet të gënjejë!

Të them se nuk të kanë ardhur propozime nga shoqatat kryesore të gazetarëve shqiptarë, mbetet gënjeshtër e madhe.

Çdo njeri publik (besoj se jam) bën diçka në jetën e tij ku shquhet apo bën histori. Dhe që ta lejë realisht modestinë, unë historinë time e bëra në media. Natyrisht me kolegë. Por që të mos vlerësosh median KOHA JONE nuk ta fal! Realisht, po e theksoj; nuk ta fal, sepse je i padrejtë, bile paksa hakmarrës.

Dekoratat, Presidenti i Republikës, i jep si vlerësim ndaj dikujt që ka kontribute në shoqerinë shqiptare. Dekorata nuk prodhon lekë, por është respekt që Kryetari i Shtetit jep në emër të Shtetit.

Dhe këtë respekt dhe vlerësim Ti nuk e bëre. Tashmë 30 vjetori si gazetë iku, me 11 maj 2021 gazeta si print u mbyll dhe KOHA JONE konkuron në një botë online.

Besoj se dikush tjetër, si President, pas 24 korrikut 2022 do ta vlerësojë emrin dhe famën e KOHA JONE në historinë e pas vitit 1990.

Por kur shikojë numrin e madh të dekoratave që ke dhënë në këto 4 vite si President, ndihem keq  që nuk vlerësove MEDIAN që bëri histori.

Nëse nuk doje emrin KOHA JONE sepse mund të krijoje keqkuptime me ish-presidentin Berisha, pasi KOHA JONE u dogj si redaksi nga policia, Shërbimi Sekret dhe Garda e Republikës natën e 2 marsit 1997 (kur ishte në pushtet PD-ja) mund të dekoroje disa gazetarë që dolën nga kjo gazetë.

Nëse nuk doje dekorimin e gazetarit dhe analistit stoik Frrok Çupit mund të dekoroje Martin Lekën dhe Aleksandër Frangajn që u burgosën asokohe për shtypin e lirë. Nëse jo këto të dy, prapë kishe dy emrat VIP nga bota e gazetarisë, dikur ish-kryeredaktorë të KOHA JONE, Ben Blushin apo Armand Shkullakun. Nëse jo edhe këta të dy, mund të sillja si propozim Zamir Dulen që u masakrua nga shërbimi sekret mu në qelitë e policisë së shtetit.

Nëse prapë “jo” me Dulen, ka prapë nga KOHA JONE: Andi Bejtja, Blendi Fevziu, Arian Çani, Andi Bushati, Henri Çili, Lorenc Vangjeli, Alfred Peza, Skender Minxhozi, Aleksandër Çipa, Enton Abilekaj, Jonila Godole, Anila Basha, Arta Marku, Rudina Xhunga, Mimoza Dervishi, Vehab Kaba, Zenepe Luka, Vladimir Prela, Adriatik Dosti, Sokol Balla, Ilir Babaramo, Fatos Baxhaku.

Për dekoratë janë edhe i madhi Teodor Keko apo Edi Rama, Anila Denaj, të cilët ishin në vitet e para në median që theu frikën ndaj pushtetit. Edhe Spartak Ngjela, si avokat i përhershëm i medias së parë të pavarur shqiptare. Ka edhe më nga KOHA JONE: Kiço Blushi, Fatos Lubonja, Bujar Xhaferi që punuan në median kurajoze, KOHA JONE.

Nëse i doje krejt lezhjan, nga ku doli numri i parë kjo gazetë legjendare, kemi piktorin e talentuar Pashk Përvathi i cili bëri logon e emrit KOHA JONE që nuk ka ndryshuar që nga viti 1991. Apo kryetarin e këshillit të parë botues të gazetës, studiuesin dhe intelektualin Tonin Çobani.

Nëse asnjeri nga këta të brezit të “luftës” se dekadës së parë të pluralizmit, kemi prapë në nivel dekorate presidenciale: Kejda Kostreci (sot te “Zëri Amerikës), Mimoza Picarin (VOA , Tiranë) apo Erli Murati. Edhe Tedi Blushi, zëdhënesi shpuzë presidencial, nga KOHA JONE ka dalë. Mund ta dekoroje, por me propozimin e komunitetit të gazetarëve.

Kemi edhe të tjerë, nëse doje!

Nëse as këta nuk të bindin, të paktën ish-kryeredaktorin e fundit të 30 vjetorit të KOHA JONE, Qamil Xhani që ta vuri edhe gazetën në dispozicion të LSI gjatë fushatës, natyrisht me lejen time.

Së fundi, edhe mua mund të më dekoroje, zoti President!

Leave a Comment