Petro Koçi: “Deputetët Shqiptarë rrezikojnë jetën duke i dhënë vetë makinës sepse nuk kanë shofer”

Petro Koçi, deputeti i Partisë Socialiste, ka diskutuar rritjen e pagave që pritet të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë të enjten. Ai shprehu shqetësimin se dikur deputetët kishin makinë dhe shofer të shtetit në dispozicion, ndërsa tani nuk e kanë. Duke folur në emisionin “Ditari” në A2 CNN, deputeti socialist theksoi se kjo situatë tregon mungesën e dinjitetit në parlament.

Koçi vuri në dukje se një status i ulët i deputetit bën që Parlamenti të ketë një trajtim të ulët. Ai tha: “Kemi të bëjmë me një rritje të pagave në sistemin buxhetor në përgjithësi. Por mendoj se një status i ulët i deputetit bën që Parlamenti vetë të ketë një status të ulët. Këto dallime hapin debat dhe diskutim, por është në dinjitetin e vendit që Parlamenti të trajtohet në një mënyrë normale.”

Deputeti socialist theksoi se tani deputetët janë vetë sekretarë dhe vetë shoferë, duke treguar se më parë kishin makinë dhe shofer të shtetit që i ndihmonin në punët e tyre. Ai shprehu keqardhje që deputetët duhet të rrezikojnë jetën e tyre duke shpenzuar orë të tëra në debate dhe takime, për tu kthyer më pas në shtëpi në orët e vona.

Koçi gjithashtu përmendi se nuk beson se deputetët janë shkaku i problemeve të vendit. Ai tha se në krahasim me nivelin e jetesës dhe pagat, deputetët nuk janë ndër të paguarit. Sipas tij, deputetët janë fundi i kavallit kur bëhet fjalë për pasanikët e vendit.

“Kemi të bëjmë me një rritje pagash në përgjithësi, në të gjithë sistemin buxhetor. Por, mendoj që një status deputeti prej langaraqi do ta bënte edhe vetë Parlamentin langaraq. Këto diferenca hapin debat dhe diskutim, por është në dinjitetin e një vendi që Parlamenti të ketë një trajtim normal.

“Megjithatë, unë nuk besoj se deputetët janë ligësia e këtij vendi. Nëse marrim sot nivelin e jetesës dhe pagat, deputeti, edhe me ndryshimet që do të hyjnë në fuqi, nuk është nga më të paguarit.