Ngjarja e rëndë në Kosovë, ku mësuesi Valentin Selmanaj është akuzuar se ka puthur me dhunë në buzë një nxënëse të klasës së shtatë, ka shkaktuar reagime të fuqishme. Sipas dosjes së prokurorisë, nxënësja 12-vjeçare ka deklaruar se mësuesi e ka puthur në buzë dy herë, megjithëse ajo ka kundërshtuar.
Valentin Selmanaj ka mohuar akuzat dhe ka thënë se vetëm ka përkëdhelur nxënësen, duke e vendosur dorën në kokën e saj dhe duke e afruar për disa sekonda. Ai pranon se është mësimdhënës i viktimës dhe ka qenë në dijeni të moshës së saj.
Ngjarja është denoncuar në polici nga një nxënës tjetër i shkollës, i cili ka filmuar momentin.
Mësuesi, së bashku me kolegët dhe nxënësit, ishin në ekskursion në Shqipëri gjatë fundjavës. Pas kthimit në Kosovë, Valentin Selmanaj është arrestuar në lidhje me këtë çështje. Autoritetet do të vazhdojnë hetimet për të sqaruar të gjitha detajet dhe për të marrë masa të nevojshme në përputhje me ligjin.