Reagon Ambasada Amerikane mbas mesazhit konfidencial: “Pakti u prish. Tani është radha jonë të flasim”

Paraditen e sotme ‘Lapsi.al’ publikoi një lajm me burime nga selia blu, ku thuhej se ambasadorja amerikane Yuri Kim ka presionuar Lulzim Bashën pas daljes së fundit të Sali Berishës në ekran, ku konfirmoi dhe njëherë tjetër qëndrimin e tij për të qenë si deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Fax News u interesua pranë zyrës për mediat të ambasadës amerikane në Tiranë, e cila nuk pranoi as të mohonte dhe as të pohonte mesazhet konfidenciale që janë shkëmbyer mes Kim dhe drejtuesve të PD-së, ku thuhet se kishte deklaruar: Pakti u prish, tashmë është radha jonë që të flasim.

I vetmi koment që ambasada bëri për Fax News ishte ai se ata kanë mbajtur pozicion  të qartë dhe të pandryshueshëm për çështjen e Berishës.

“Pozicioni ynë mbetet i pandryshuar”,komentojnë nga zyra e ambasadores Kim. Kjo e fundit ka kërkuar shprehimisht në daljet e saj që Sali Berisha të mos jetë pjesë e Kuvendit dhe PD të distancohet prej tij.

Nëse përgjigja e ambasadës së SHBA-ve është evazive, edhe më i zymtë është qëndrimi i mbajtur derimë tani nga PD, ku për lajmin nuk ka pasur asnjë reagim. Vetë Basha, në ditët kur të gjithë presin vendimin dhe qëndrimin që ai do të mbajë me Berishën, ka zgjedhur ti shmanget çdo pyetje, reagimi apo dalje televizive për çështjen.

Ish-kryeministri Sali Berisha rikonfirmoi edhe njëherë tjetër përballë zëdhënëses së tij Erla Mëhilli se do të jetë pjesë e Kuvendit që nis të premten, ndërsa lëshoi dhe mesazhe në drejtim të Bashës, të cilit i kërkoi të respektojë parimet përmes të cilave është themeluar PD.

Leave a Comment