Nga: Erion Kristo
Të dashur miq. A e keni vënë re se sa i vështirë është bërë komunikimi në rrjetet sociale?
Nuk guxon njeriu të urojë dikë apo të ngushëllojë dikë tjetër, apo dhe të shprehë ndonjë mendim, se nuk të lënë kalecët e fejsbukut, pa të ofenduar dhe pa të kërkuar llogari, pse e the atë që the.
Na e keni kthyer fejsbukun në një mbledhje të madhe partie, ku sekretarët e partisë dhe kryetarët e frontit të kapin nga favoritet. Duhet ta kuptoni se ju ka kafshuar enveri në qafë, duke ju kthyer në komunistë, edhe pse e shani komunizmin.
Pra, ka sot më shumë enveristë se dikur. Kuptoni pluralizmin e ideve dhe të këndvështrimeve. Kuptoni dhe faktin e këtyre anonimëve që na janë bërë si ato anonimet dikur. Kuptoni dhe faktin që çfarë të hidhni në supën e jetës, atë do hani.
Kuptoni që kjo situatë “homo homini lupus” i leverdis dikujt. “Jeto dhe lëri të jetojnë” do ishte një maksimë e bukur. Nuk i jap llogari askujt se çfarë mendoj, se çfarë komentoj, se kujt i bëj kompliment e kujt jo.
Ka vdekur ajo kohë. Le të ruajmë respektin. Se pastaj ankoheni nga aksidentet rrugore, por dhe komunikimi në fejsbuk i tillë është bërë. Nejse, unë fola dhe e lava shpirtin tim. Bekuar qoftë ai që shpiku bllokun. Përdoreni vazhdimisht. Është si antidjersë.