Partia Demokratike ka reaguar pas akuzave të Sali Berishës se qeveria e ndërmori aksionin e mbylljes së lojërave të fatit për Bashën pasi sipas tij bastet i kaluan një kompanie në Qipro që është 80% në pronësi të bashkëshortes së kreut të PD.
Teksa e cilëson ish-kryeministrin Sali Berisha si gënjeshtar ordiner, shkruan se për hallin e tij ka qenë gjithmonë gati ti vërë zjarrin Shqipërisë. Në një reagim në rrjetet sociale, PD thotë se Berisha “është vetëm një e shkuar e keqe për PD-në dhe gjithë shqiptarët, dhe emri i tij do mbahet mend si një nongrata për korrupsion”.
Reagimi i plotë:
I deklaruar non grata për korrupsion bashkë me familjen e tij, dhe i braktisur nga demokratët pas dhunës së 8 janarit, Sali Berisha po sillet vërdallë nëpër Shqipëri duke thënë çdo ditë gënjeshtra të reja për Lulzim Bashën dhe familjen e tij.
Për të dytën herë Sali Berisha, ky gënjeshtar ordiner, shpifi për bashkëshorten e kryetarit të PD. Ky është një mashtrim i ri nga njeriu që për hallin e tij dhunoi edhe shtëpinë e demokratëve dhe ishte gati të derdhë gjakun e tyre.
Ky që për hallin e tij ka qenë gjithmonë gati t’i vërë zjarrin Shqipërisë. Por ai është vetëm një e shkuar e keqe për PD-në dhe gjithë shqiptarët, dhe emri i tij do mbahet mend si një non grata për korrupsion.