Julian Deda bëri rrëfimin emocional në emisionin “S’e Luan Topi”.
Deda tregon për sfidat që ai dhe i ati, Zef Deda, përjetuan para viteve ’90 në Shqipëri. Ata kishin probleme me këmbën e Zef Dedës e cila i shkaktonte dhimbje dhe regjimi monist i asokohe e trajtoi atë me medikamente për sëmundje psikike që mos arratisej jashtë vendit.
Julian Deda tregon se kjo ishte një periudhë e vështirë për familjen, pasi dëmtimi në këmbë nuk mund të trajtohej në Shqipëri dhe mund të ishte fatal. Ata e dërguan atë jashtë vendit për trajtim në Vjenë dhe më pas në Hungari, ku mjekët zbuluan se problemi ishte vetëm në këmbë dhe e trajtuan atë.
Deda përmend gjithashtu reagimin e Byrosë Politike në atë kohë kur Zef Deda nuk dilte në televizor natën e Vitit të Ri, duke shfaqur shqetësimin për mungesën e tij dhe dërgimin e tij në Hungari për trajtim.
“Më herët kam qenë 5 apo 6 vjeç, sepse nuk e mbaj mend mirë… Im atë u sëmur dhe rrinte shumë në shtëpi, nuk doli më në televizor, pastaj iku me kurime jashtë njëherë në Vjenë dhe më pas në Hungari. Ne ishim vetëm me mamin. Mendja na rrinte gjithmonë atje dhe kjo ishte periudha më e vështirë e jetës tonë sepse ai dëmtim që kishte në këmbë, në atë kohë nuk mund të bëhej në Shqipëri dhe mund t’i merrte edhe jetën.
Konjukturat e asokohe e çuan në spital, madje e kuruan edhe për të sëmurë psikik sepse thoshin që ‘ky bën kështu sepse do të dalë jashtë shtetit, do të arratiset ky aktori dhe shtiret sikur i dhëmbë këmba’. Ata mendonin se donte të ikte, pasi problemi që kishte në këmbë ishte ende i panjohur e i pakurueshëm për mjekësinë këtu te ne.
Në fakt ai kishte thjesht këmbën dhe e nisën atëherë jashtë vendit sepse ai nuk doli në televizor natën e Vitit të Ri. Dhe po të mos dilje në televizor natën e Vitit të Ri për një aktor kishe probleme.
Kur nuk doli u shqetësua Byroja politike. Thanë po ku është ky aktori. Sepse atëherë nuk ishte si tani që mund të mos dalësh nga 4 vite në skenë dhe s’kujtohet njeri për ty. Atëherë kujtoheshin.
Pyetën ku është ky? Dhe iu thanë që është keq nga këmba në shtëpi. Pastaj e dërguan në Hungari dhe madje edhe atje me diagnozën i sëmurë psikik, derisa mjekët e vunë re vetë se çfarë kishte dhe e kuruan”,- tha Jul Deda.