Zotniu nuk është ky legeni që mbahet për serioz dhe rren gjithë kohës në Fejsbuk.

Nga: Edison Ypi

Zotniu

Zotniu nuk është ky legeni që mbahet për serioz dhe rren gjithë kohës në Fejsbuk.


Zotniu pëlqen ose nuk pëlqen, komplimenton ose refuzon.


Zotniu që shpif, intrigon, trillon, është një llum, një pështirosje, një fëlliqësirë.


Zotniu i vërtetë është i vetmjaftueshëm, nuk ankohet për asgjë.


Zotniu që rënkon e ofshan ose, zgërdhihet e gajaset, është një kërrmill, një butak banal, një qurre njerëzore, që fajin për paaftësinë e vetes kërkon t’ja hedhi të tjerëve.


Po ja talle Atdheun dhe Flamurin, Zotniu t’i ngul thonjtë në fyt ose ta plas kokën pas murit. Nëse Zotniu nuk mbron Atdheun dhe Flamurin, nuk ke të bësh me një Zotni por me një morr.
Zotniu nuk është dallamango, është individ i sofistikuar.


Zotniu dëgjon muzikë serioze në sallën e koncertit.
Zotniut që i duket këngë e bukur “O violino cigano” është një trashanik prej të cilit nuk nuk mund të pritet asgjë e hajrit.
Zotniu është modest, është altruist. Të flasi për veten i vjen turp.
Zotniu që dërdëllit për veten, nuk është Zotni, është zorraxhi.


Zotniu e fal jetën për Fe’, Atdhe, Dashuri. Mashtruesi hileqar që Atdheut i fal llafet, nuk është Zotni, është zagar.
Zotniu mund të jetë edhe tifoz. Por kjo nuk e lartëson. Futbolli nuk është për zotnilerë, është për proletarë. Zotniu ka një mijë gjëra të tjera për të bërë para tifozllëkut. Zotniut që mburret me tifozllëkun, i raftë damllaja.


Zotniu nuk përdor kurrë pseudonim, por emrin dhe mbiemrin e plotë të shkruar korrekt që nuk i prek asnjë gërmë mishin t’ja presësh me gërshërë. Zotniu që fshihet me pseudonime mburracake dhe mbështillet me flamuj dhe shkaba është një ndyrësirë që i vë shkrepsen Shqipërisë për pes lek.


Zotniu shkruan Shqip me ë dhe ç. Në mos, nuk është Zotni, është injorant.
Zotniu rrëfen shkurt e qartë me fjalë të zgjedhura e të kursyera. Zotniu i rrejshëm i bie nga Kina, me të vetmin stil që njeh, atë të soc-propagandës me partizanë, gjermanë, diversanta, heronj të stisur.
Zotniu del në fotografi me prapa shpinës portretin e Skënderbeut, Ismail Qemalit, Ahmet Zogut etj.


Zotnijtë tanë të amanozotshëm dalin në fotografi me mishra përpara, mëlçira, tava, çka është tmerr e shkuar tmerrit.
Zotniu të cilit nuk i ka rrëshqitur në jetën e vet të paktën 1 pik lot ndaj lemerive të Diktaturës, nuk është Zotni, është spurdhjak.
Kush nuk ka parë një fshat internimi, nuk është Zotni, është plehër.


Zotniu nuk hyn nëpër fast fuda sa herë e merr uria. Zotniu nuk kullot. Zotniu ha.
Zotniu për së mbari lexon libra sa më të vjetër.
Zotniut për së prapi i ka mbetur ora te revista “Ylli” dhe gazeta “Puna”.


Zotniu kallp, zotniu i rrejshëm, është një meskin, mizantrop, i ngutur, zevzek, që merret me gjëra atypëraty dhe tanipërtani.


Zotniu i vërtetë është serioz, është solemn, është i vëmendshëm, i kujdesshëm, i ekuilibruar, shpirtmadh, zemërgjerë, bartës dhe përhapës i principeve milenare.

Leave a Comment